Rriten çmimet e energjisë në Bursën Shqiptare, 7 mujori shënon shtrenjtim me 34 për qind
Rreth 986 mijë mWh energji u tregtua në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike gjatë 7-mujorit të këtij viti, teksa vlera e transaksioneve përllogaritet në rreth 116 mln euro.
Sipas të dhënave të Tregut të Ditës së Avancë të raportuara nga ALPEX çmimi mesatar u regjistrua në rreth 120 euro/mWh, një çmim gati 34% më i lartë se 7 - mujori i vitit të kaluar. Po ashtu, të dhënat tregojnë se ka një rritje të lehtë të volumit të energjisë së tregtuar në bursë, në raport me periudhën janar – korrik 2024.
Ndërkaq, ALPEX ka raportuar edhe shifrat e Tregut të Ankandeve Brenda së Njëjtës Ditë, që nisën të zhvillohen në dhjetor të vitit të kaluar. Kështu, për periudhën janar - korrik një volum total prej 8140 mWh i energjisë elektrike u tregtua në këtë treg të ALPEX-it, me një çmim klerues mesatar prej 154 euro/mWh.
Vetë ALPEX e ka konsideruar nisjen e zhvillimit të ankandeve brenda së njëjtës ditë një arritje dhe hap të rëndësishëm përpara në tregun rajonal të energjisë elektrike, duke forcuar tregtinë ndërkufitare dhe integrimin e tregjeve. Sipas APLEX, tashmë Shqipëria dhe Kosova kanë dhe një mekanizëm shtesë tregu, të njëjtë me ato të vendeve të Bashkimit Evropian, duke i vendosur këto tregje pararendës brenda Komunitetit të Energjisë.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike menaxhon dhe operon tregut e organizuar me shumicë të energjisë elektrike për zonat e ofertimit të Shqipërisë dhe Kosovës. /Scan